PËRFUNDON RIKONSTRUKSIONI I GODINËS SË NJËSISË ADMINISTRATIVE KRUTJE.

Pas disa muajsh punime rikonstruksioni, godina e Njësisë Administrative Krutje ka përfunduar dhe pritet të vihet së shpejti në funksion, duke rikthyer në kushte më të mira një prej institucioneve të rëndësishme për banorët e zonës.

Kjo godinë mbart edhe një histori disa dekadëshe. E ndërtuar gjatë periudhës së komunizmit, ajo shërbeu fillimisht si zyrë e ish-kooperativës bujqësore, një strukturë që për dekada organizonte jetën ekonomike dhe punën në fshatrat e Myzeqesë.

Pas viteve ’90, me ndryshimet politike dhe ekonomike, godina mori një tjetër funksion, duke u kthyer në qendër komune dhe më pas, pas reformës territoriale, në selinë e Njësisë Administrative Krutje.

Për vite me radhë, investimet në mirëmbajtjen e saj kanë qenë të kufizuara, ndërsa ndërhyrja e fundit synon të përmirësojë kushtet e punës për administratën dhe shërbimet për qytetarët.

Krutja, një zonë me traditë të hershme bujqësore në zemër të Myzeqesë, ruan ende gjurmët e historisë së saj, nga organizimi i dikurshëm i kooperativave bujqësore deri te funksionet e sotme administrative.

Rikonstruksioni i kësaj godine është pjesë e ndërhyrjeve për përmirësimin e infrastrukturës institucionale, ndërsa investime të tjera pritet të vijojnë edhe në njësi të tjera administrative të Bashkisë Lushnjë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033