Hekurudha shqiptare po përballet me një tkurrje të fortë të aktivitetit, si në transportin e pasagjerëve, ashtu edhe në atë të mallrave. Të dhënat e INSTAT-it, në publikimin “Transporti në Shifra 2025”, tregojnë se ky sektor vijon të ketë një rol të kufizuar në sistemin kombëtar të transportit.
Gjatë vitit 2025, trenin e përdorën vetëm 4 mijë e 146 pasagjerë, ose 46.4 për qind më pak krahasuar me vitin 2024. Mesatarisht, kjo përkthehet në vetëm 11 pasagjerë në ditë.
Ndërkohë, rrjeti hekurudhor në shfrytëzim mbetet 253.1 kilometra, pothuajse i pandryshuar në tre vitet e fundit. Në vitet 2023 dhe 2024, gjatësia e tij ishte 252.95 kilometra, ndërsa dendësia e rrjetit mbetet 8.8 metra linearë për kilometër katror.
Në rënie është edhe transporti hekurudhor i mallrave. Gjatë vitit 2025, ai arriti në 17 milionë ton-kilometra, duke shënuar një ulje prej 6.4 për qind krahasuar me një vit më parë. I gjithë ky transport u realizua në distanca deri në 49 kilometra.
Operatorët privatë dominuan aktivitetin, duke realizuar 92.7 për qind të transportit të mallrave, të matur në ton-kilometra, ndërsa operatorët shtetërorë vetëm 7.3 për qind. Sipas sasisë së mallrave në ton, pjesa e privatëve arriti në 88 për qind.
Edhe llojet e mallrave të transportuara tregojnë një përqendrim të lartë. Qymyri, linjiti, nafta bruto dhe gazi natyror përbënin 88 për qind të totalit. Lëndët e para të ricikluara, mbetjet e ngurta dhe mbeturinat e tjera zinin 11.6 për qind, ndërsa metalet bazë dhe produktet metalike të fabrikuara vetëm 0.4 për qind.
Një tjetër tregues shqetësues është mungesa e plotë e transportit ndërkombëtar të mallrave. Gjatë vitit 2025, nuk u realizua asnjë import apo eksport përmes hekurudhës.
Shifrat e INSTAT-it evidentojnë një sektor me pak pasagjerë, transport të kufizuar mallrash dhe pa lidhje tregtare ndërkombëtare përmes trenit, ndërsa rrjeti hekurudhor vijon të mbetet pothuajse i pandryshuar.