48% E SHQIPTARËVE TË SHQETËSUAR NGA TRAFIKU, SHQIPËRIA MBI MESATAREN RAJONALE.

Shqipëria përballet me një përkeqësim të ndjeshëm të perceptimit të problemeve mjedisore. Trafiku, ndotja e ajrit, ujit dhe tokës, si dhe zhurmat, po shqetësojnë gjithnjë e më shumë qytetarët.

Sipas Balkan Barometer 2025, të Këshillit Rajonal të Bashkëpunimit, 55% e shqiptarëve përmendin ndotjen e ajrit, nga 42% në vitin 2024. Shqetësimi për ndotjen e ujit është rritur nga 24% në 43%, ose 19 pikë përqindjeje, ndërsa ndotja e tokës është dyfishuar, nga 20% në 40%.

Por shqetësimi që e veçon Shqipërinë nga rajoni është trafiku. Në vitin 2025, 48% e shqiptarëve e konsiderojnë atë problem mjedisor, nga 30% një vit më parë, kundrejt mesatares rajonale prej vetëm 33%.

Shqipëria renditet e para në rajon për këtë shqetësim, përpara Kosovës me 37%, Maqedonisë së Veriut me 34%, Malit të Zi dhe Serbisë me nga 30%, si dhe Bosnjë-Hercegovinës me 22%.

Edhe zhurmat përbëjnë një problem madhor. Ato shqetësojnë 43% të shqiptarëve, nga 32% në vitin 2024, ndërsa mesatarja rajonale është vetëm 21%.

Në të gjithë Ballkanin Perëndimor, ndotja e ajrit është rritur nga 57% në 61%, ndotja e ujit nga 43% në 52% dhe ajo e tokës nga 38% në 44%.

Megjithatë, Shqipëria mbetet nën mesataren rajonale për ndotjen e ajrit, prej 61%, dhe ndotjen e ujit, prej 52%.

Në bilancin vjetor, rritja e shqetësimit në Shqipëri arrin 13 pikë për ajrin, 19 për ujin, 20 për tokën, 18 për trafikun dhe 11 pikë për zhurmën.

Shifrat e Balkan Barometer 2025 tregojnë se problemet mjedisore po zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm në shqetësimet e qytetarëve shqiptarë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033