Mbi një milion llogari bankare në Shqipëri rezultojnë me balanca pothuajse zero. Shifrat i referohen fundit të vitit 2025 dhe ngrenë pikëpyetje mbi gjendjen financiare të individëve, por edhe mbi mënyrën se si janë të shpërndara kursimet në vend.
Sipas raportit të vlerësimit të ndikimit për projektligjin e ri për sigurimin e depozitave, nga rreth 2 milionë e 930 mijë llogari bankare të individëve, mbi 1 milion e 11 mijë prej tyre kishin nga zero deri në 100 lekë. Në përqindje, kjo është rreth 34,5 për qind e totalit, ose më shumë se një në çdo tri llogari.
Megjithatë, kjo shifër nuk do të thotë se mbi një milion shqiptarë janë pa kursime, pasi një person mund të ketë disa llogari bankare. Po ashtu, balanca e një llogarie nuk pasqyron domosdoshmërisht të ardhurat apo pasurinë e përgjithshme të individit.
Në anën tjetër, pabarazia në shpërndarjen e depozitave është e dukshme. Vetëm 4,7 për qind e llogarive, ato me mbi 2,5 milionë lekë, përmbledhin rreth 59 për qind të vlerës së depozitave të analizuara.
Të dhënat shoqërojnë projektligjin që propozon rritjen e kufirit të sigurimit të depozitave nga 2,5 milionë në 6 milionë lekë për depozitues, në një bankë, duke nisur nga 1 korriku 2027.
Shifrat tregojnë jo vetëm sa pak para gjenden në një pjesë të madhe të llogarive, por edhe përqendrimin e kursimeve në një numër relativisht të vogël llogarish.