KUÇOVA NDRIÇON SKENËN E PAVARUR TË KIIFF.

Edhe pak ditë na ndajnë nga edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të Pavarur, KIIFF, që do të zhvillohet nga data 13 deri më 18 tetor 2026, në Kinemanë “Kadri Roshi” të Kuçovës.

Për pesë net me radhë, qyteti i naftëtarëve do të kthehet në një skenë ndërkombëtare të kinemasë, duke mirëpritur kineastë, regjisorë dhe artistë nga rreth 40 vende të botës, së bashku me emra të njohur të kinematografisë shqiptare.

Atmosfera e festivalit ka nisur të ndihet që në hyrje të qytetit. Banderolat dhe elementët promovues kanë zbukuruar hapësirat publike, duke përcjellë mesazhin se Kuçova është gati të presë një prej aktiviteteve më të rëndësishme kulturore që zhvillohet për herë të parë në këtë qytet.

Institucionet vendore dhe qytetarët janë bërë pjesë e përgatitjeve, ndërsa bashkia, nën kujdesin e kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, ka marrë masat për t’i dhënë festivalit një atmosferë sa më dinjitoze dhe mikpritëse.

Çdo detaj po shkon drejt përfundimit, ndërsa pritshmëritë janë të mëdha që KIIFF të sjellë një vëmendje të re për Kuçovën dhe Shqipërinë në hartën ndërkombëtare të filmit.

Për pesë ditë, Kuçova do të jetë një pikë takimi për filmin e pavarur, artistët dhe regjisorët nga Shqipëria dhe bota.

Një festival që synon të promovojë artin, kulturën dhe qytetin, duke i dhënë Kuçovës një rol të ri në skenën ndërkombëtare të kinematografisë.

Kuçova është gati. Tashmë, skena i përket filmit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033