ZHARREZ,ORGANIZOHET AKTIVITETI KULTUROR”BREZ PAS BREZI MYZEQAR”

Traditat, kultura dhe zakonet që përcillen brez pas brezi u promovuan në Zharrëz të Bashkisë Patos, në një aktivitet festiv që tashmë është kthyer në një traditë të zonës.
“Brez pas brezi myzeqar” mblodhi në fushën e futbollit të Zharrëzës banorë të zonës, familje, të rinj e të moshuar, por edhe të ardhur nga qytete të ndryshme dhe emigracioni, të cilët zgjodhën të rikthehen pranë vendlindjes për të festuar së bashku traditat dhe kulturën myzeqare.
Veprimtaria synoi të sjellë në vëmendje vlerat kulturore e njerëzore të kësaj treve, duke krijuar një hapësirë ku e kaluara takohet me të tashmen dhe ku traditat përcillen tek brezat e rinj.
Në aktivitet ishin të pranishëm deputetja e Partisë Socialiste për qarkun e Fierit, Antoneta Dhima, Prefekti i Qarkut Fier, Anduel Xhindi, përfaqësues të Bashkisë Patos, banorë të zonës dhe të ftuar të tjerë.
Një pjesë e rëndësishme e aktivitetit ishte edhe panairi, ku u prezantuan produkte të fermerëve dhe bizneseve të zonës, punime artizanale dhe gatime tradicionale.
Produktet vendase sollën në këtë festë jo vetëm shijen dhe identitetin e Myzeqesë, por edhe punën e përditshme të fermerëve, artizanëve dhe sipërmarrësve të komunitetit.
E ndërsa stendat përcillnin traditën përmes produkteve dhe gatimeve, kënga dhe muzika krijuan atmosferën festive, duke i dhënë aktivitetit një dimension të veçantë.
“Brez pas brezi myzeqar” përcolli një mesazh të thjeshtë, por domethënës,traditat jetojnë atëherë kur ato kujtohen, ruhen dhe u përcillen brezave të rinj.
Ne kete mbrëmje festive kultura, tradita, prodhimi vendas dhe muzika u bashkuan për të sjellë në vëmendje identitetin dhe vlerat e kësaj treve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033