Në Fier është zhvilluar takimi i Komitetit Rajonal Antitrafik dhe Tryezës Teknike të Luftës Kundër Trafikimit të Personave, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve për parandalimin dhe identifikimin e rasteve të trafikimit.
Në takimin e zhvilluar në Institucionin e Prefektit të Qarkut Fier morën pjesë përfaqësues të institucioneve vendore dhe strukturave përgjegjëse.
Në fjalën e tij, Kryetari i Tryezës Teknike, Arben Velo, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe institucionet përgjegjëse për evidentimin e problematikave dhe parandalimin e rasteve të trafikimit.
Përfaqësuesi i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Gjergj Prabibaj, u ndal te risitë e parashikuara në kuadrin ligjor antitrafik, sistemi i integruar i të dhënave dhe krijimi i një zyre koordinimi.
Ai vlerësoi rolin e Komiteteve Rajonale Antitrafik në evidentimin dhe parandalimin e rasteve, duke nënvizuar nevojën për forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e aktiviteteve sensibilizuese.
Diskutimet u përqendruan te koordinimi i vazhdueshëm ndërinstitucional, raportimi dhe ndërmarrja e veprimeve konkrete për parandalimin, identifikimin dhe trajtimin e rasteve të trafikimit.
Takimi synoi forcimin e bashkëpunimit dhe koordinimin e mëtejshëm të veprimeve kundër trafikimit të personave në nivel rajonal.