Bashkimi i demokratëve ishte në qendër të takimit të zhvilluar një ditë më parë nga dega e Partisë Demokratike në Lushnje.
Kryetari i degës, Gentian Çela, së bashku me deputetin e Lushnjës, Saimir Korreshi, iu drejtuan të pranishmëve me një apel për afrimin e strukturave dhe kapërcimin e ndasive të së shkuarës.
Mesazhi i tyre ishte që demokratët të lënë mënjanë mëritë dhe mospajtimet dhe të fokusohen tek e ardhmja e forcës politike.
“Të bashkohemi, jo për të kaluarën, por për të ardhmen”, ishte një prej mesazheve të përcjella gjatë takimit.
Në diskutime u theksua nevoja për një organizim më të bashkuar, ndërsa u kërkua që demokratët e Lushnjës të bashkojnë forcat rreth atyre që u cilësuan si vlera dhe ideale të Partisë Demokratike: liria, drejtësia, familja dhe një Shqipëri demokratike.
Takimi u zhvillua në formën e një bashkëbisedimi me anëtarët, ku u diskutuan problematika dhe mënyra për forcimin e bashkëpunimit brenda strukturave të partisë.
Në përfundim, drejtuesit e degës përcollën mesazhin se bashkimi dhe organizimi i demokratëve në Lushnje do të jenë në fokus të aktivitetit të tyre politik.
Një apel që, sipas tyre, synon të rikthejë afrimin brenda strukturave dhe të krijojë një front të përbashkët politik në Lushnje.