Në Pluge të Lushnjës vijon një tjetër ndërhyrje për përmirësimin e infrastrukturës rrugore dhe kushteve të lëvizjes për banorët.
Pas investimit të realizuar vitin e kaluar nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit për përmirësimin e shtresave asfaltike në aksin “Rotondo e Plugut – Sheshi 29 Nëntori – Rruga 5 Shtatori”, këtë herë ndërhyrja është fokusuar te trotuari dhe ndriçimi.
Bëhet fjalë për një segment prej rreth 1.8 kilometrash, ku po punohet për mbylljen e kanalit vaditës me tuba, sistemimin e hapësirës dhe shtrimin e trotuarit, ndërsa paralelisht është parashikuar edhe ndriçimi i aksit.
Punimet deri tani po realizohen nga Ndërmarrja e Pasurisë Publike, në kuadër të mbështetjes me materiale dhe lëndë të para pune.
Tashmë është përfunduar më shumë se gjysma e punës, ndërsa grupet e punës vijojnë ndërhyrjen në pjesën e mbetur të segmentit.
Për banorët e lagjes Plugut, kjo është një ndërhyrje e kërkuar prej kohësh. Mungesa e një trotuari e kishte kthyer këtë pjesë të rrugës në një problem të përditshëm për këmbësorët, ndërsa lëvizja e mjeteve e bënte edhe më të vështirë qarkullimin.
Me përfundimin e trotuarit, e asfaltimin e rrugës këmbësorët do të kenë një hapësirë të dedikuar për lëvizjen, ndërsa ndriçimi i ri pritet të përmirësojë sigurinë gjatë orëve të mbrëmjes.
Një tjetër element i rëndësishëm është ndryshimi i pamjes së aksit. Nga një hapësirë që prej kohësh kërkonte ndërhyrje, rruga po merr tashmë një tjetër funksion dhe standard, duke krijuar kushte më të mira për banorët dhe përdoruesit e saj.
Punimet vijojnë me synimin për përmbylljen e plotë të segmentit dhe vënien në funksion të trotuarit dhe ndriçimit përgjatë gjithë aksit.