TOKA BUJQËSORE NË SHITJE / KRITERET PËR 445 MIJË FAMILJE.

Projektligji për shitjen e tokës bujqësore përcakton kriteret që duhet të plotësojnë familjet bujqësore që duan të kalojnë pronësinë e tokës së tyre te persona të huaj, fizikë apo juridikë.

Sipas legjislacionit për ndarjen e tokës, rreth 445 mijë familje bujqësore në të gjithë vendin janë trajtuar me tokë bujqësore në pronësi dhe përfshihen në objektin e këtij drafti.

Sipas nenit 8, familjet që kërkojnë të kalojnë pronësinë duhet të disponojnë dokumentacionin e rregullt të pronës. Në dosje duhet të përfshihen certifikata e pronësisë, kartela e pasurisë, akti noterial për kalimin e pronësisë dhe harta treguese e vendndodhjes.

Pjesë e dokumentacionit është edhe prova për përbërjen e familjes bujqësore në momentin e kalimit të pronësisë. Kjo përfshin certifikatën e gjendjes civile, vërtetimin e njësisë së pushtetit vendor dhe deklaratën e përbashkët të anëtarëve të familjes.

Në rast se pronësia nuk kalon nga të gjithë bashkëpronarët, kërkohet edhe prokurë noteriale për përfaqësimin.

Drafti përcakton gjithashtu se një ose disa anëtarë të familjes nuk mund të shesin pjesën e tyre të tokës në bashkëpronësi pa u kryer më parë pjesëtimi i pasurisë, sipas dispozitave të Kodit Civil.

Ndërkohë, kalimi i pronësisë, si për tokën bujqësore shtetërore ashtu edhe për atë private, mund të bëhet vetëm për pasuritë e regjistruara në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033