Administrata e 61 bashkive të vendit është zgjeruar me 1,038 punonjës gjatë vitit 2025, duke e çuar numrin total të punonjësve faktikë në 39,910 persona.
Sipas raportit të Institutit për Bashkitë Shqiptare, bazuar në të dhënat e Sistemit Informatik Financiar të Qeverisë, ose SIFQ, rritja krahasuar me vitin 2024 është 2.7%.
Zgjerimi është evidentuar në 45 nga 61 bashki. Rritjen më të madhe e ka Bashkia Kamëz, me 237 punonjës më shumë, e ndjekur nga Fieri me 153 dhe Shkodra me 65 punonjës shtesë.
Në të kundërt, Bashkia Tiranë ka 68 punonjës më pak, ndërsa Cërriku ka reduktuar 29, Puka 20 dhe Vlora 16 punonjës.
Raporti ngre pikëpyetje mbi eficiencën e administratës dhe nëse rritja e numrit të punonjësve shoqërohet me përmirësim të shërbimeve publike.
Sipas INSTAT, më 1 janar 2025, Shqipëria kishte 2,363,314 banorë. Në raport me këtë popullsi, rezultojnë mesatarisht 16.89 punonjës bashkie për 1,000 banorë.
Raporti e krahason këtë tregues me referencën e Bankës Botërore prej 25 punonjësish për 1,000 banorë, një diferencë prej 8.11 punonjësish për 1,000 banorë.
Por mesatarja kombëtare fsheh diferenca të mëdha mes bashkive, veçanërisht në njësitë e vogla vendore.
Instituti rekomandon analizë të strukturave administrative, sidomos aty ku numri i punonjësve për banor është i lartë, për të përcaktuar nëse këto pozicione krijojnë vlerë publike apo kosto të pajustifikuara.
Sipas raportit, synimi duhet të jetë një administratë e orientuar drejt performancës, produktivitetit dhe cilësisë së shërbimeve, duke mundësuar që fondet e kursyera nga kostot joefektive të shkojnë drejt investimeve dhe shërbimeve për qytetarët.