Parku Arkeologjik i Apolonisë u shndërrua mbrëmjen e sotme në skenën e edicionit të dytë të “Muzak Fest”, festës që bashkon artin me historinë dhe rikthen në vëmendje rrënjët, kujtesën dhe trashëgiminë kulturore.
I organizuar nga Bashkia Fier, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, edicioni i dytë mblodhi në Apoloni artistë të njohur, personalitete të artit e kulturës dhe artdashës nga Fieri dhe qytete të tjera të Shqipërisë.
Në një prej siteve më të çmuara të trashëgimisë kulturore kombëtare, “Muzak Fest” erdhi këtë vit në formatin e një mbrëmjeje gala, ku poezia, muzika dhe interpretimi artistik u ndërthurën me historinë mijëravjeçare të Apolonisë eshte shprehur per tv Apollon
Adriana Mile Drejtoreshe e Artit dhe Kulturës në Bashkinë Fier.
Programi artistik solli në skenë emra të njohur të artit shqiptar. Rajmonda Bulku, Dritan Boriçi, Andia Xhunga dhe Myzafer Zifla i dhanë zë fjalës poetike, ndërsa moderimi iu besua Kristian Koroveshit, i cili ndërtoi lidhjen mes momenteve të ndryshme të mbrëmjes.
Një tjetër dimension edicionit të dytë të “Muzak Fest” i dha Vlashent Sata, i cili përmes muzikës dhe interpretimit të tij krijoi një atmosferë të veçantë në hapësirën monumentale të Apolonisë, duke bashkuar tingullin bashkëkohor me frymën poetike dhe historike të festivalit.
Monumentet, të integruara në konceptin skenik dhe të ndriçuara posaçërisht për eventin, u bënë pjesë e rrëfimit artistik, duke krijuar një dialog mes artit të sotëm dhe trashëgimisë së mijëra viteve.