Censi i Bujqësisë dhe Blegtorisë nuk do të zhvillohet këtë vit. Procesi, i parashikuar të niste në tetor, është shtyrë për vitin e ardhshëm, për shkak të vonesave në përgatitjet organizative dhe mungesës së buxhetit.
Ligji për Censin e Bujqësisë u miratua në muajin korrik, pak përpara nisjes së pushimeve parlamentare, duke lënë një afat të shkurtër për përgatitjet teknike. Ndërkohë, fondet për realizimin e procesit nuk ishin alokuar.
Censi synon të krijojë një pasqyrë të plotë të sektorit bujqësor dhe blegtoral në vend, përmes regjistrimit të tokave bujqësore, fermave dhe numrit të bagëtive.
Sipas parashikimeve, procesi pritet të kushtojë rreth 8.9 milionë euro dhe INSTAT synon që regjistrimi në terren të përfundojë brenda katër javësh.
Projektligji për Censin e Bujqësisë ishte miratuar fillimisht në qeveri më 3 qershor.
Të dhënat e fundit të plota për këtë sektor datojnë në vitin 2012. Që prej atëherë, sipërfaqja e tokës së mbjellë është tkurrur me rreth 18.7 mijë hektarë, ndërsa numri i krerëve të bagëtive është ulur me rreth 960 mijë.
Tashmë, fotografimi i ri i bujqësisë dhe blegtorisë shqiptare pritet të bëhet vitin e ardhshëm.