Roskovec, konsultime për përballimin e ndryshimeve klimatike.

Në kuadër të projektit “Climate Pathways 4 Roskovec”,në Roskovec u zhvillua aktiviteti konsultues për prezantimin e projektit dhe diskutimin e sfidave që lidhen me ndryshimet klimatike.
Ekspertë të mjedisit, përfaqësues të komunitetit, fermerë dhe aktorë të sektorit të turizmit dhe agroturizmit diskutuan mbi faktorët që ndikojnë në territor dhe mënyrat se si mund të parashikohen në kohë pasojat e ndryshimeve klimatike.
Në fjalën e saj, kryetarja e Bashkisë Roskovec vlerësoi rëndësinë e projektit, ndërsa ftoi fermerët dhe aktorët e turizmit e agroturizmit që, së bashku me ekspertët, të evidentojnë problematikat dhe rreziqet konkrete të zonës.
Sipas saj qëllimi është që përmes identifikimit në kohë të problematikave të gjenden edhe rrugët për mbrojtjen e investimeve, prodhimeve bujqësore dhe veprimtarive ekonomike që lidhen me territorin.

Ekspertët e mjedisit kërkuan që evidentimi i faktorëve të rrezikut të bëhet në bashkëpunim të ngushtë me banorët dhe komunitetin lokal. Në fokus ishin veçanërisht bujqësia dhe agroturizmi, ndërsa u theksua rëndësia e menaxhimit të qëndrueshëm të ujërave dhe energjisë.
Sipas ekspertëve, përfshirja aktive e komunitetit është e rëndësishme për hartimin e një projekti që t’u përgjigjet nevojave reale të territorit dhe të ndihmojë në shmangien ose reduktimin e dëmeve të mundshme.

Në takim u nënvizua gjithashtu roli i komunitetit si një faktor i rëndësishëm në planifikimin dhe menaxhimin e territorit përballë sfidave që sjellin ndryshimet klimatike.
Projekti synon forcimin e kapaciteteve vendore dhe përfshirjen e aktorëve të ndryshëm në krijimin e mekanizmave që mundësojnë parashikimin dhe përballimin në kohë të ndikimeve të ndryshimeve klimatike.
Në këtë proces, fermerët dhe komuniteti lokal kanë një rol të rëndësishëm, pasi njohja e drejtpërdrejtë e problematikave të territorit përbën një bazë të rëndësishme për përcaktimin e masave të përshtatshme për të ardhmen.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033