Prej disa muajsh, në qytetin e Lushnjës ka nisur aktivitetin filiali i Agjencisë Investigative “Stop Krimit”, një strukturë që synon të rrisë bashkëpunimin me institucionet dhe qytetarët në parandalimin e krimit, dhunës, trafikimit dhe përdorimit të drogës.
Agjencia, me qendër në Tiranë, drejtohet nga Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv, Fatmir Sena, ndërsa aktiviteti i saj shtrihet edhe përmes bashkëpunimeve ndërkombëtare në Bruksel, Shtetet e Bashkuara dhe vende të Bashkimit Europian.
Në Lushnje dhe Divjakë, filiali drejtohet nga Hakile Nezha, e cila prej disa muajsh ka zhvilluar bashkëpunime me institucionet vendore, duke qenë në kontakt me problematikat e ngritura nga qytetarët.
Në fokus janë parandalimi i dhunës në çdo formë të saj, trafikimit të qenieve njerëzore dhe përdorimit të drogës, veçanërisht tek moshat e adoleshencës.
Një tjetër drejtim i rëndësishëm është sensibilizimi dhe trajnimi i qytetarëve, në mënyrë që ata të dinë se si të reagojnë dhe ku të drejtohen përballë situatave të jashtëligjshme.
Kamera e TV Apollon ishte në ambientet e filialit në Lushnje, ku drejtuesja për Lushnjën dhe Divjakën, Hakile Nezha, foli për bashkëpunimin institucional dhe qytetar.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të mos heshtin përballë problematikave, por të denoncojnë dhe të bashkëpunojnë me institucionet për parandalimin dhe trajtimin e rasteve të paligjshme.
Mesazhi i agjencisë është i qartë: një komunitet i informuar dhe bashkëpunues është një hallkë e rëndësishme në parandalimin e krimit dhe dhunës.