Rrushi, tradita dhe puna e fermerëve u bënë bashkë në Allkaj, në një festë që tashmë është kthyer në traditë për këtë njësi administrative të Bashkisë Lushnje.
“Festa e Vreshtarisë” mblodhi fermerë, banorë dhe të ftuar në një panair ku u promovuan vlerat, kultura, historia dhe prodhimet bujqësore të zonës.
Në sheshin përpara shkollës së fshatit u ngritën rreth 35 stenda, të mbushura me prodhime të fermerëve vendas, varietete të ndryshme rrushi, gatime tradicionale, produkte bujqësore, por edhe sende e relike të ruajtura ndër vite nga banorët.
Allkaji njihet edhe për traditën e vreshtarisë. Në zonat fushore të njësisë kultivohen rreth 250 hektarë vreshta, me varietete të ndryshme rrushi, prodhim që shkon për konsum të freskët, për përpunim industrial dhe për eksport.
Aktiviteti nisi me një prezantim të historisë dhe traditave të zonës, të sjellë përmes kostumit popullor dhe interpretimit të dy vajzave të reja.
Organizimi u zhvillua nga drejtuesja e Njësisë Administrative Allkaj, Marjola Todri, së bashku me stafin e njësisë, ndërsa pjesë e festës u bënë banorë të zonës, fermerë dhe drejtues institucionesh.