Pas dëgjesës publike në qytetin e Divjakës, komisioni i ngritur nga Bashkia Divjakë ndaloi në Njësinë Administrative Tërbuf, ku u zhvillua takimi me banorët për ndarjen territoriale dhe propozimin për bashkimin e Bashkisë Divjakë me Bashkinë Lushnjë.
Një pjesë e banorëve kundërshtojnë këtë bashkim dhe kërkojnë që Divjaka të vijojë të jetë bashki më vete.
Takimi u zhvillua në një ambient privat, me pjesëmarrjen e banorëve të fshatit Çermë-Sektor. Fjalën e hapi kryebashkiaku Josif Gorrea, i cili argumentoi arsyet pse, sipas tij, Divjaka nuk duhet të bashkohet me Lushnjën.
Pas përfundimit të fjalës së kryebashkiakut, banorët ngritën një sërë shqetësimesh që lidhen me mungesën e investimeve në zonë.
Replikat mes qytetarëve dhe drejtuesve u zhvendosën nga ndarja territoriale te problemet e përditshme: rrugët, infrastruktura, pastrimi dhe mungesa e ujit në parcelat bujqësore.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga fermerët ishte mungesa e agronomëve në terren, pikërisht aty ku ata thonë se kanë nevojë për këshillim dhe mbështetje.
Në disa momente, kryebashkiaku Gorrea u kujtoi banorëve se takimi ishte thirrur për ndarjen territoriale dhe jo për investimet.
Por debati vijoi, veçanërisht me disa banorë që kërkuan përgjigje për problemet e pazgjidhura në zonë.