Pezë ishte veshur kuq e zi për të përkujtuar 84-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve të rëndësishme të historisë së Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Në sheshin ku ngrihet lapidari, simbol i kësaj ngjarjeje historike, u mblodhën banorë të zonës, veteranë dhe pasardhës veteranësh, të ardhur nga Tirana dhe rrethe të ndryshme të vendit.
Pranë lapidarit ndodhet edhe shtëpia-muze, aty ku 84 vite më parë u mblodhën delegatët e Konferencës së Pezës. Një ngjarje që, sipas organizatorëve, përcjell brez pas brezi kujtesën për të rinjtë dhe të rejat që iu bashkuan luftës dhe dhanë jetën për vendin.
Pjesë e aktivitetit ishin Shoqata Peza dhe krytari Daut Kryemadhi dhe organizata e LANÇ e drejtuar nga nderi kombit Vera Tarifaj dhe sekretari I pergjithshem nderi kombit Veli Myftari .
Që në orët e para të ditës, në shesh u vendosën disa stenda ku u promovuan vlera dhe tradita të zonës së Pezës, përmes punimeve artizanale, punimeve në baltë dhe produkteve të traditës vendase.
Për vizitorët u ekspozuan gjithashtu fotografi historike nga Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave, ndërsa Muzeu i Forcave të Armatosura solli një pavijon me armë, pushkë dhe veshje të luftëtarëve të periudhës së Luftës Antifashiste.
Ekspozitat u vizituan nga një numër i madh pjesëmarrësish.
Në orën 10:00 nisi ceremonia zyrtare, nën tingujt e Himnit Kombëtar Shqiptar, të ekzekutuar nga Banda Frymore e Qarkut Tiranë.
Ceremonia u zhvillua pranë lapidarit, pikërisht në vendin ku u mbajt Konferenca e Pezës 84 vite më parë.
Fjalën e hapjes dhe referimin mbi rëndësinë e kësaj date e mbajti kryetari i Shoqatës Peza, Daut Kryemadhi.
Më pas fjalën e mori nënkryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Evis Kushi, e cila e cilësoi Konferencën e Pezës si një ngjarje me rëndësi në historinë e vendit dhe theksoi rëndësinë e përcjelljes së kujtesës historike brez pas brezi.
Në këtë vend simbolik folën gjithashtu nënprefektja e Tiranës, Sara Demrozi, dhe kryetarja e Këshillit Bashkiak Tiranë, Megi Fino.
Ceremonia vijoi pranë gurit simbolik, në afërsi të shtëpisë-muze, ku përfaqësuesit e pranishëm vendosën nga një karafil të kuq, në shenjë simbolike të pjesëmarrësve në Konferencën e Pezës dhe në kujtim të dëshmorëve.
Ceremonia përkujtimore vijoi më pas në vendin ku prehen dëshmorët e Pezës.
Nën tingujt e muzikës funebre u vendosën kurora dhe buqeta me lule nga nënkryetarja e Kuvendit, Evis Kushi, përfaqësues të institucioneve, shoqatave të veteranëve dhe pasardhësve të tyre.
Në ceremoni ishte e pranishme edhe ministrja Ogerta Manastirliu.
Momentet përkujtimore u mbyllën me homazhe dhe parakalimin e pjesëmarrësve para memorialit të dëshmorëve të Pezës.