Kredia për bujqësinë rritet me 23%, por mbetet vetëm 0.8% e huave për bizneset.

Kredia për sektorin bujqësor ka shënuar rritje gjatë këtij viti, por financimi i fermerëve vijon të mbetet në nivele shumë të ulëta.

Sipas të dhënave të Bankës së Shqipërisë, gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2026, bankat kanë dhënë rreth 1.38 miliardë lekë kredi të re për bujqësinë, në rritje me 23 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, kjo kredi përbën vetëm 0.8 për qind të financimit total të bizneseve, nga 0.7 për qind një vit më parë.

Ndërkohë, portofoli i kredisë për bujqësinë në fund të korrikut arriti në 6.83 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 9.3 për qind.

Për të lehtësuar financimin, Banka e Shqipërisë po zbaton një program për bizneset e vogla dhe të mesme, me kredi me interesa të ulëta. Paralelisht, qeveria ka vendosur një fond garancie prej 3 miliardë lekësh, që mund të mbulojë deri në 70 për qind të principalit të kredisë, për kredi deri në 25 milionë lekë.

Por, pavarësisht këtyre skemave, bankierët mbeten skeptikë për ndikimin e tyre tek fermerët.

Sipas ekspertëve, risku i lartë, kostot operative dhe logjistike, informaliteti, mungesa e kolateralit dhe fragmentizimi i tokës e bëjnë bujqësinë një sektor të vështirë për financim.

Për bankat, këto problematika e bëjnë kreditimin e fermerëve më pak tërheqës, ndërsa për bujqësinë, sfida e aksesit në financë mbetet ende e pazgjidhur.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033