Qendra Epoka e Re, në kuadër të projektit “Rojtarët e Ujërave”, organizoi dy workshop-e lokale në Fier dhe Divjakë, të fokusuara në prezantimin e gjetjeve të studimit të realizuar përmes një procesi 12-mujor monitorimi në 20 pika strategjike pranë kanaleve dhe zonave ujore të identifikuara si problematike në territorin e të dy bashkive.
Takimet mblodhën së bashku aktorë lokalë, përfaqësues institucionesh dhe grupe të interesuara për çështjet mjedisore, duke krijuar një hapësirë të përbashkët diskutimi mbi problematikat e evidentuara gjatë monitorimit, nevojat e zonave të analizuara dhe mundësitë për ndërhyrje konkrete.
Një pjesë e rëndësishme e workshop-eve iu kushtua punës në grupe, ku pjesëmarrësit analizuan sfidat e identifikuara dhe punuan për të përcaktuar ndërhyrje dhe projekte prioritare. Diskutimet u fokusuan në zgjidhje të realizueshme që mund të kontribuojnë në përmirësimin e cilësisë së ujërave, reduktimin e ndotjes dhe mbrojtjen e ekosistemeve përkatëse.
Këto workshop-e përfaqësuan një hap të rëndësishëm në kalimin nga monitorimi dhe evidentimi i problematikave te propozimi i zgjidhjeve konkrete, duke nxitur dialogun, bashkëpunimin dhe angazhimin e përbashkët të komunitetit, institucioneve dhe aktorëve lokalë për mbrojtjen e burimeve ujore në Fier dhe Divjakë.