Radhë kilometrike në Kapshticë, udhëtarët: Pritje të gjata dhe mungesë informacioni.

Radhë të gjata automjetesh janë krijuar këtë të hënë në Pikën e Kalimit Kufitar të Kapshticës, në dalje të Shqipërisë dhe në drejtim të Greqisë.

Qindra qytetarë shqiptarë, që udhëtojnë drejt shtetit fqinj, janë përballur me pritje të gjata, duke shprehur pakënaqësi dhe shqetësim për situatën e krijuar.

Radha nis që në hyrje të territorit doganor shqiptar dhe vijon në drejtim të pikës kufitare greke. Fluksi i lartë i automjeteve ka sjellë ngadalësim të ndjeshëm të lëvizjes, ndërsa udhëtarët detyrohen të presin për një kohë të gjatë në automjetet e tyre.

Për shumë prej tyre, kjo situatë është kthyer në një problem të përsëritur, veçanërisht në ditët kur fluksi i lëvizjeve drejt Greqisë rritet.

Qytetarët kërkojnë më shumë organizim dhe mbi të gjitha informacion të qartë për arsyet e pritjeve.

Deri në këto momente, nuk ka një informacion zyrtar të detajuar mbi shkakun konkret të krijimit të radhëve, nëse bëhet fjalë për fluksin e lartë të udhëtarëve, procedurat e kontrollit apo probleme të tjera në funksionimin e pikës kufitare.

Ndërkohë, automjetet vijojnë të qëndrojnë në radhë, ndërsa udhëtarët presin që situata të normalizohet.

Kapshtica mbetet një nga pikat kryesore të lidhjes tokësore mes Shqipërisë dhe Greqisë, ndaj menaxhimi i flukseve dhe koordinimi mes autoriteteve shqiptare dhe greke mbetet thelbësor për të shmangur pritjet e gjata dhe shqetësimin e qytetarëve.

Pritet që qarkullimi të normalizohet në orët në vijim.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033