VETËM 23 BASHKI KANË BUXHET KUNDËR ZJARRIT.

Zjarret e kësaj vere kanë shkrumbuar dhjetëra hektarë pyje dhe kullota në të gjithë vendin, duke shkaktuar dëme që llogariten në miliarda lekë. Por, ndërsa rreziku mbetet i lartë, shifrat tregojnë se investimet e pushtetit vendor për mbrojtjen nga zjarri kanë qenë minimale.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Financave, vetëm 23 bashki kanë parashikuar në buxhet fondet për mbrojtjen nga zjarri dhe mbrojtjen civile, në një vlerë totale prej rreth 729.6 milionë lekësh për vitin 2026.

Por deri në fund të qershorit, shpenzimet faktike ishin vetëm 75.7 milionë lekë, ose një nivel realizimi prej 10.4%.

Nga 23 bashkitë, vetëm 11 kishin kryer shpenzime, ndërsa 12 të tjera nuk kishin bërë ende asnjë pagesë.

Diferenca më e madhe është në Tiranë. Kryeqyteti ka programuar rreth 356.8 milionë lekë, por deri në qershor kishte shpenzuar vetëm 164.9 mijë lekë, ose rreth 0.05% të fondit.

Edhe Durrësi, me rreth 104 milionë lekë të programuara, nuk kishte regjistruar asnjë shpenzim.

Tirana dhe Durrësi së bashku përqendrojnë mbi 63% të fondeve të programuara nga 23 bashkitë, por deri në qershor kishin shpenzuar vetëm rreth 165 mijë lekë.

Në anën tjetër, Himara kryeson për shpenzimet faktike, me 46.8 milionë lekë, nga 143.8 milionë të programuara, ndërsa Pusteci ka shpenzuar 10.8 milionë dhe Kukësi rreth 8.44 milionë lekë, duke realizuar 99.7% të fondit të tij.

Në total, vetëm Himara, Pusteci dhe Kukësi përbëjnë rreth 87% të shpenzimeve faktike të evidentuara për 23 bashkitë.

Ndërkohë, në bashki si Kavaja, Kruja, Vlora, Bulqiza, Malësia e Madhe, Gramshi, Puka, Përrenjasi, Këlcyra dhe Dropulli, nuk rezultonin ende shpenzime, pavarësisht fondeve të parashikuara.

Të dhënat i referohen fundit të qershorit 2026, pra vetëm gjysmës së parë të vitit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033