Tuneli në aksin rrugor Qukës–Qafë Plloçë, një nga veprat e rëndësishme të rrugës panoramike që lidh Pogradecin me juglindjen e vendit, vijon të përballet me mungesën e ndriçimit.
Këto pamje janë marrë në orët e mbrëmjes, pikërisht për të evidentuar situatën brenda tunelit, ku ndriçimi nuk funksionon. Bëhet fjalë për një tunel me gjatësi rreth 716 metra, ku qarkullimi i automjeteve gjatë natës kryhet në kushte të vështira për drejtuesit e mjeteve.
Mungesa e ndriçimit përbën një shqetësim serioz, veçanërisht në orët e natës dhe në periudhat kur fluksi i automjeteve është i lartë. Ndriçimi në tunele është një element i domosdoshëm për sigurinë rrugore dhe nuk mund të mungojë në një aks të tillë.
Rruga e re ka një rëndësi të veçantë për qarkullimin drejt qytetit të Pogradecit dhe Korçës, ndërsa gjatë sezonit turistik fluksi i mjeteve rritet ndjeshëm.
Përballë kësaj situate, drejtuesit e mjeteve kërkojnë ndërhyrjen e autoriteteve përgjegjëse, përfshirë ARRSH-në apo kompaninë që mirëmban këtë aks rrugor, për rikthimin sa më shpejt të ndriçimit në brendësi të tunelit.
Në një aks ku siguria e drejtuesve dhe pasagjerëve duhet të jetë prioritet, mungesa e ndriçimit mbetet një kambanë alarmi që kërkon reagim të menjëhershëm.