PAZARI I KORÇËS, MES HISTORISË DHE TURIZMIT

Në zemër të Korçës, aty ku kalldrëmi ruan gjurmët e një qyteti të hershëm tregtar, Pazari i Vjetër vijon të mbetet një nga pikat më të frekuentuara nga turistët vendas dhe të huaj.

I ndërtuar si një qendër e rëndësishme tregtare, Pazari i Korçës ka qenë ndër vite vendi ku tregtarë e zejtarë zhvillonin aktivitetin e tyre. Sot, kjo hapësirë historike është rikthyer në një prej atraksioneve kryesore të qytetit.

Çdo ditë, e sidomos në mbrëmje, rrugicat me kalldrëm mbushen me vizitorë. Ata ndalen në lokalet karakteristike, shijojnë gastronominë tradicionale, ndërsa bizneset e vogla ofrojnë punime artizanale dhe produkte që përcjellin traditën korçare.

Arkitektura e veçantë e godinave, ngjyrat, dritat dhe atmosfera e Pazarit krijojnë një kombinim mes së shkuarës dhe modernes.

Por ajo që e bën edhe më të veçantë këtë zonë është identiteti kulturor i Korçës. Qyteti i serenatave, me muzikën dhe traditat e tij, i jep Pazarit një tjetër dimension, veçanërisht gjatë mbrëmjeve.

Turistët e huaj e vendas e zgjedhin këtë zonë jo vetëm për të kaluar disa orë, por edhe për të njohur nga afër historinë, kulturën dhe mënyrën e jetesës së qytetit.

Nën kalldrëmin e vjetër, historia vazhdon të jetojë. E sot, Pazari i Korçës është kthyer në një pikëtakim ku tradita, arkitektura, gastronomia dhe turizmi ndërthuren, duke e bërë atë një nga destinacionet më të vizituara të qytetit.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033