Situata me zjarret në vend/ 39 vatra të raportuara në 24 orë, 11 ende aktive. Në Himarë shmanget rreziku për banesat, 36 qytetarë të evakuuar

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 39 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive, 3 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës në terren janë angazhuar 881 forca operacionale dhe 75 automjete zjarrfikëse, si dhe 340 forca të Forcave të Armatosura. Operacioni është mbështetur edhe nga helikopterët e Forcës Ajrore dhe një avion Air Tractor.
Për ditën e sotme parashikohet angazhimi i 380 forcave ushtarake, dy helikopterëve dhe një avioni Air Tractor.
Vatrat kryesore aktive janë në qarqet Tiranë, Dibër, Lezhë, Shkodër, Durrës, Fier dhe Vlorë.
Në Fier dhe Himarë, ku situata ka qenë më e rëndësishme gjatë 24 orëve të fundit, rreziku për zonat e banuara është shmangur, ndërsa operacionet për shuarjen e zjarreve vijojnë.
Në Himarë, në lagjen “1 Maji”, si masë parandaluese janë evakuuar 36 persona. Nga zjarri janë prekur 6 banesa, 3 prej të cilave ishin të banuara.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin dhe koordinimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033