USHQIMET SHQIPËRI, 5 HERË MË SHPEJT SE NË BE – ÇMIMET MBI MESATAREN EUROPIANE

Çmimet e ushqimeve në Shqipëri po rriten shumë më shpejt se në Bashkimin Europian, pavarësisht rënies së fortë të euros gjatë kësaj vere.

Sipas të dhënave të Eurostat, ushqimet dhe pijet joalkoolike u shtrenjtuan në Shqipëri me 3.2% në korrik 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.

Në Bashkimin Europian, rritja ishte vetëm 0.6%. Pra, çmimet e ushqimeve në Shqipëri u rritën rreth pesë herë më shpejt se mesatarja europiane.

Presioni po shtohet edhe nga muaji në muaj. Në Shqipëri, inflacioni i ushqimeve u rrit nga 2.9% në qershor në 3.2% në korrik, ndërsa në BE ra nga 1% në 0.6%.

Shqipëria renditet kështu e pesta ndër 36 vende europiane për normën më të lartë të inflacionit të ushqimeve. Përpara saj janë Turqia me 37.6%, Rumania me 4.6%, Qiproja me 4.5% dhe Islanda me 4.4%.

Inflacioni i përgjithshëm i harmonizuar në Shqipëri arriti në 3.4% në korrik, nga 3.2% një muaj më parë.

Ushqimet dhe pijet joalkoolike dhanë kontributin më të madh, me 1.09 pikë përqindje, ose gati një të tretën e rritjes së përgjithshme të çmimeve.

Kjo lidhet edhe me peshën e lartë të ushqimeve në buxhetin familjar. Sipas INSTAT, ato përbëjnë 34.46% të shportës së përdorur për llogaritjen e indeksit të harmonizuar të çmimeve.

Në Ballkanin Perëndimor, Shqipëria kishte në korrik rritjen më të lartë të çmimeve të ushqimeve. Pas saj renditen Kosova me 2.7% dhe Mali i Zi me 2.3%.

Në të kundërt, në Maqedoninë e Veriut çmimet ranë me 0.3%, ndërsa në Serbi rënia ishte shumë më e fortë, me 5.6%.

Edhe krahasuar me vendet fqinje të BE-së, Shqipëria rezulton më e ekspozuar ndaj shtrenjtimit. Në Bullgari ushqimet u rritën me 1.2%, ndërsa në Kroaci dhe Greqi çmimet ranë përkatësisht me 0.1% dhe 0.4%.

Por shqetësimi nuk lidhet vetëm me rritjen e çmimeve. Në vitin 2025, ushqimet në Shqipëri kushtonin 102.9% të mesatares së BE-së, nga 99.6% një vit më parë.

Pra, një shportë ushqimore që në BE kushton 100 euro, në Shqipëri kushton mesatarisht 103 euro, sipas fuqisë blerëse.

Ndërkohë, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë vetëm 43% e mesatares europiane, ndërsa konsumi individual për frymë arrin në 48%.

Kështu, ndërsa të ardhurat mbeten ndër më të ulëtat në Europë, çmimet e ushqimeve janë tashmë mbi mesataren europiane, duke rënduar gjithnjë e më shumë buxhetin e familjeve shqiptare.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033