Në Bashkinë Kuçovë ka nisur procesi i bashkëbisedimit me komunitetin në kuadër të diskutimeve për Reformën Territoriale.
Dëgjesat publike u zhvilluan në Njësitë Administrative Kozare dhe Perondi, ku në qendër të diskutimeve ishte mënyra se si reforma duhet të reflektojë nevojat reale dhe problematikat e komunitetit.
Në takime ishte i pranishëm kryetari i Bashkisë Kuçovë, Kreshnik Hajdari, së bashku me drejtues dhe përfaqësues të administratës vendore.
Takimet u zhvilluan në një klimë të hapur dhe transparente, ku banorët patën mundësinë të shprehnin shqetësimet, problematikat e përditshme, por edhe pritshmëritë e tyre për të ardhmen.
Një nga çështjet e ngritura ishte garantimi i shërbimeve për qytetarët, veçanërisht për banorët e njësive administrative. Nga ana e bashkisë u theksua rëndësia që çdo ndryshim territorial të shoqërohet me shërbime sa më pranë qytetarëve dhe pa cenuar aksesin e tyre në institucionet vendore.
Zëri i banorëve dhe problematikat konkrete të komunitetit mbeten një pjesë e rëndësishme e këtij procesi.
Bashkia Kuçovë vijon kështu konsultimet me komunitetin, në një përpjekje që Reforma Territoriale të ndërtohet duke marrë në konsideratë nevojat reale të qytetarëve dhe të vetë njësive vendore.
Procesi i bashkëbisedimit me komunitetin pritet të vijojë edhe në takime të tjera me banorët dhe institucionet lokale.