Viti i ri arsimor 2026–2027 ka nisur në Bashkinë Kuçovë me çerdhe, kopshte dhe shkolla të përgatitura për të mirëpritur fëmijët dhe nxënësit.
Gjatë muajve të verës, Bashkia Kuçovë ka ndërmarrë një sërë ndërhyrjesh për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore. Punimet janë realizuar sipas nevojave të çdo shkolle, kopshti apo çerdheje, me fokus mirëmbajtjen, rikonstruksionin, lyerjet, meremetimet, përmirësimin e ambienteve sanitare dhe sistemimin e territoreve.
Kjo punë është zhvilluar nga strukturat përkatëse të Bashkisë Kuçovë, nën kujdesin e veçantë të kryebashkiakut Kreshnik Hajdari, me synimin që viti i ri shkollor t’i gjejë institucionet arsimore me kushte sa më të mira dhe bashkëkohore.
Ndërhyrje janë përfunduar në shkollën “Josif Prifti” në Kozare, “Veiz Patriku” dhe “Dalip Bakiu” në Gegë, ndërsa punimet vijojnë në gjimnazin “5 Tetori” dhe shkollën “Shefqet Shuaipi” në Lumas.
Punime të përfunduara janë kryer edhe në Kopshtin Nr. 1 dhe Kopshtin “1 Qershori”, ndërsa institucione të tjera janë përfshirë në planet e mirëmbajtjes dhe investimeve të mëtejshme.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar edhe funksionimit të sistemeve të ngrohjes, energjisë elektrike, ujësjellës-kanalizimeve dhe kushteve higjieno-sanitare.
Në të gjitha institucionet është realizuar pastrimi i thelluar dhe dezinfektimi, ndërsa janë marrë masa për garantimin e furnizimit me ujë dhe energji elektrike dhe për funksionimin normal të sistemeve të ngrohjes gjatë sezonit të dimrit.
Për punën e kryer dhe masat e marra nga Bashkia Kuçovë për nisjen e vitit të ri shkollor, në një intervistë ekskluzive për TV Apollon u shpreh drejtoresha e Qendrës Ekonomike të Arsimit, Kozeta Mara.