Kërkimet për naftë në Shqipëri kanë nisur më shumë se një shekull më parë, që në vitin 1918, në rajonin e Drashovicës. Më pas, kërkimet u shtrinë në zona të tjera të vendit, ndërsa interesi për pasuritë nëntokësore solli në Shqipëri edhe kompani të huaja, si AIPA nga Italia, APOC nga Anglia dhe SFA nga Franca.
Me kalimin e viteve, Shqipëria u kthye në një vend të njohur për rezervat dhe prodhimin e naftës bruto. Ndër vendburimet më të rëndësishme janë Patos-Marinza dhe Kuçova, por edhe Cakran-Mollaj, Gorisht-Kocul, Ballsh-Hekal, Visoka, Amonica dhe Delvina.
Qytete si Kuçova, Patosi, Ballshi, Marinza, por edhe shumë fshatra përreth tyre, prej dekadash kanë lidhur historinë dhe ekonominë e tyre me “arin e zi”.
Puset e naftës, instalimet industriale dhe gjurmët e industrisë së naftës janë bërë pjesë e pandashme e peizazhit të këtyre zonave, ku breza të tërë kanë punuar në nxjerrjen dhe përpunimin e këtij burimi natyror.
Por, pavarësisht pasurisë nëntokësore, nafta vijon të mbetet një nga produktet me koston më të lartë për konsumatorin shqiptar.
Sot, një litër naftë në pikat e karburantit tregtohet rreth 215 lekë. Një çmim që ngre pikëpyetje për qytetarët, sidomos në një vend që prej dekadash njihet për prodhimin e “arit të zi”.
Historia e naftës shqiptare nis me kërkimet e para më shumë se 100 vite më parë, vijon me zhvillimin e vendburimeve dhe industrisë, ndërsa sot mbetet një pasuri që, përtej rëndësisë ekonomike, vijon të jetë pjesë e identitetit të qyteteve dhe komuniteteve që janë rritur pranë saj.