Kisha e Shën Thanasit në Karavasta, monument kulture dhe destinacion i veçantë turistik.
Në zemër të Karavastasë, në Njësinë Administrative Remas, Bashkia Divjakë, ndodhet një prej pasurive më të rralla historike dhe shpirtërore të zonës: Kisha e Shën Thanasit.
E ndërtuar në vitin 1778, kjo kishë është dëshmi e një historie dhe tradite të ruajtur ndër shekuj. Për vlerat e saj të veçanta historike dhe kulturore, Kisha e Shën Thanasit është shpallur monument kulture që në vitin 1963, ndërsa restaurimi i fundit i saj është kryer në vitin 2015.
Një nga elementët më të rëndësishëm të kësaj kishe janë afresket, të cilat mbartin vlera të veçanta të artit të vjetër kishtar. Ato janë realizuar nga vëllezërit Gjergj dhe Joan Katro, duke i dhënë këtij objekti edhe më shumë rëndësi në trashëgiminë kulturore të zonës.
Kisha e Shën Thanasit vizitohet çdo ditë nga turistë vendas dhe të huaj. Por është pikërisht sezoni veror ai që sjell numrin më të madh të vizitorëve, të cilët ndalojnë në këtë objekt të rrallë për të njohur historinë e tij, për të ndezur një qiri dhe për të gjetur pak qetësi shpirtërore.
Për shumë prej tyre, kjo nuk është thjesht një vizitë turistike. Është një moment reflektimi dhe lutjeje në një vend të shenjtë, ku historia, besimi dhe tradita ndërthuren mes tyre.
Kisha e Shën Thanasit në Karavasta mbetet kështu një dëshmi e gjallë e trashëgimisë sonë kulturore dhe fetare, një pasuri që ka rezistuar për shekuj dhe që vazhdon të mirëpresë çdo ditë vizitorë që kërkojnë të prekin nga afër historinë dhe shpirtin e kësaj treve.