Të moshuarit në Libofshë, mes problematikave të përditshme dhe nevojës për më shumë mbeshtje sociale,shendetesore dhe sherbime.
Kushtet e jetesës, mbështetja sociale dhe shëndetësore, si dhe politikat në favor të moshës së tretë, ishin në qendër të intervistës së zhvilluar me disa të moshuar në Libofshë të bashkise Fier.
Banorët e moshës së tretë shprehen se, krahas përmirësimeve të bëra ndër vite në infrastrukturë, investimet publike nuk kanë qenë gjithmonë të shoqëruara me krijimin e hapësirave të nevojshme për çlodhje, argëtim dhe aktivitet social.
Sipas tyre, mungojnë ambiente të posaçme ku të moshuarit të mund të kalojnë kohën, të zhvillojnë aktivitete dhe të kenë mundësi të komunikojnë me njëri-tjetrin. Hapësirat e gjelbra dhe zonat çlodhëse mbeten gjithashtu të pamjaftueshme, ndërsa zhvillimi urban dhe ndërhyrjet infrastrukturore kanë reduktuar sipërfaqet e destinuara për këto funksione.
Një tjetër shqetësim i ngritur prej tyre lidhet me shërbimet shëndetësore dhe sociale. Për një pjesë të konsiderueshme të këtyre shërbimeve, të moshuarit e Libofshës duhet të drejtohen në qytetin e Fierit, duke përballuar vështirësi dhe shpenzime shtesë për transportin.
Sinkron
Ata kërkojnë më shumë vëmendje nga institucionet vendore, jo vetëm për përmirësimin e infrastrukturës, por edhe për krijimin e kushteve që mosha e tretë të ketë një jetë më aktive, të sigurt dhe dinjitoze në komunitetin ku jeton.
Në një shoqëri që po përballet me probleme me rritje per të moshuarit, kujdesi për këtë kategori nuk lidhet vetëm me pensionin, por edhe me shërbimet sociale, shëndetësore, hapësirat publike dhe mundësinë për të qenë pjesë aktive e jetës së komunitetit.