XIBRRI FESTË 2026 – TRADITA QË BASHKON

XIBRRI FESTË 2026 – TRADITA QË BASHKON

Për të tretin vit radhazi, Xibrri ka hapur dyert për bijtë e bijat e tij, duke e kthyer festën e Xibrrit në një traditë që mbledh çdo vit banorë, miq dhe dashamirës të kësaj treve.

Ditë me parë , në “Drita e Liqenit”, pranë Qafturrës, u zhvillua edicioni i tretë i “Xibrri Festë 2026”. Një ditë feste, por edhe një takim me kujtesën, traditën dhe rrënjët e përbashkëta.

Në këtë aktivitet morën pjesë banorë të Xibrrit dhe fshatrave përreth, ndërsa një përfaqësi e Krahinës së Bendës iu bashkua festës, së bashku me miq e dashamirës nga Klosi, Burreli, Tirana dhe zona të tjera.

Muzika, kënga, vallet dhe atmosfera festive krijuan një ditë të veçantë, ku tradita u ndërthur me mikpritjen dhe dëshirën për të ruajtur identitetin e kësaj treve.

Por zgjedhja e “Dritës së Liqenit” nuk ishte e rastësishme. Përveç bukurisë natyrore, ky vend mbart kujtime të hershme. Për breza të tërë, nxënësit e Xibrrit dhe Bendës e kanë vizituar këtë zonë gjatë ekskursioneve, duke e kthyer atë në një vend të lidhur ngushtë me kujtesën e banorëve.

Sot, Xibrri dhe Benda u bashkuan sërish në një festë. Por lidhja mes tyre është shumë më e hershme. Ajo përcillet ndër breza përmes familjeve, miqësive, zakoneve dhe traditave të përbashkëta.

Në këtë frymë, rëndësi të veçantë merr edhe puna për ruajtjen e kulturës dhe zakoneve të zonës nga
FERIT HOXHA, KRYETAR I SHOQATËS ATDHETARE KULTURORE “BENDA”

“Festa të tilla na bashkojnë dhe na kujtojnë rrënjët tona. Është detyrë e brezit tonë të ruajmë traditat, doket dhe kulturën e këtyre trevave dhe t’ua përcjellim ato brezave të rinj.”

“Xibrri Festë 2026” nuk ishte vetëm një ditë argëtimi. Ishte një takim mes brezave dhe një dëshmi se tradita mbetet e gjallë kur njerëzit bashkohen për ta ruajtur atë.

Nga “Drita e Liqenit”, mes natyrës, muzikës dhe festës, mesazhi ishte i qartë: rrënjët nuk harrohen, ndërsa kultura dhe tradita jetojnë për sa kohë përcillen nga një brez te tjetri.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033