Mbetjet urbane në Njësinë Administrative Frakull janë kthyer në një problem shqetësues, jo vetëm për mjedisin, por edhe për shëndetin e banorëve.
Kontenierë dhe kosha të tejmbushur shihen në disa prej rrugëve kryesore dhe lagjeve të fshatrave të kësaj njësie administrative. Situata bëhet edhe më problematike gjatë ditëve të nxehta të verës, kur temperaturat e larta favorizojnë përhapjen e aromave të pakëndshme, shtojnë ndotjen dhe rrisin edhe rrezikun e përhapjes së zjarreve pranë pikave të grumbullimit të mbetjeve.
Pas shqetësimeve të denoncuara në TV Apollon, gazetari pa nga afër situatën në terren, pikërisht në një ditë që, sipas grafikut të përcaktuar nga Ndërmarrja e Pastrimit të Bashkisë Fier, parashikohej grumbullimi dhe transportimi i mbetjeve urbane.
Një punonjës i ndërmarrjes së pastrimit shpjegoi se, sipas grafikut të shërbimit, mbetjet urbane në fshatrat e Njësisë Administrative Frakull grumbullohen çdo tre ditë, ose rreth dy herë në javë.
Sipas tij, gjatë sezonit veror volumi i mbetjeve rritet ndjeshëm, veçanërisht për shkak të kthimit të emigrantëve në vendlindje. Për këtë arsye, ai theksoi se në periudha të caktuara do të ishte e nevojshme që grumbullimi i mbetjeve të kryhej më shpesh, në mënyrë që të shmanget tejmbushja e kontejnerëve.
l.
Punonjësi bëri të ditur gjithashtu se mbetjet e grumbulluara transportohen drejt pikës kryesore të grumbullimit në Fier.
Ndërkohë, apeli i punonjesit te ndërmarrjes së pastrimit drejtuar banorëve është, që ata të respektojnë rregullat e menaxhimit të mbetjeve dhe të shmangin hedhjen e mbetjeve inerte, si dhe të materialeve të tjera që nuk duhet të depozitohen në kontejnerët e mbetjeve urbane.
Për banorët e Frakulles sfida mbetet e njëjtë,një shërbim pastrimi më i shpeshtë gjatë periudhave të ngarkuara të sezonit veror, për të garantuar një mjedis më të pastër dhe për të minimizuar rreziqet për shëndetin dhe sigurinë e komunitetit.
MBETJET URBANE, PROBLEM DHE RREZIK PËR BANORËT E FRAKULLËS.