58 mijë makina të reja në qarkullim, 11% elektrike.
58.4 mijë automjete janë regjistruar për herë të parë në Shqipëri gjatë 7 muajve të parë të vitit, një rritje prej 1.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të 2025-s. Ky është niveli i dytë më i lartë historik, pas 7-mujorit 2024, kur u regjistruan 61.1 mijë mjete.
Vetëm në korrik u regjistruan 9.6 mijë automjete, 4.1% më pak se në korrikun e një viti më parë.
Rritje të fortë kanë shënuar automjetet elektrike. Në janar-korrik janë regjistruar 6.4 mijë të tilla, 2.6 herë më shumë se në të njëjtën periudhë të 2025-s. Ato përbëjnë 11% të të gjitha regjistrimeve të reja.
Megjithatë, interesi për makinat elektrike është ngadalësuar. Në korrik u regjistruan 682 automjete elektrike, niveli më i ulët i këtij viti.
Koreja e Jugut dhe Kina vijojnë të dominojnë origjinën e automjeteve të importuara. Rreth 15 mijë mjete, ose 26% e totalit të regjistrimeve, erdhën nga Koreja e Jugut. Ndërsa nga Kina u regjistruan gati 9.5 mijë mjete, ose 16.2%.
Gjermania dhe Italia renditen më pas, me përkatësisht 6.9 mijë dhe 6.8 mijë automjete.
Në total, në fund të korrikut, numri i mjeteve që qarkullojnë në vend arriti në rreth 1.1 milionë.