Murrizi e njerëz puntorë, ringrihet nga përmbytja.
Pak muaj më parë, fshati Murriz u përball me një nga ditët më të vështira të viteve të fundit. Përmbytja, pas hapjes së portave të kaskadës së Devollit, mbuloi tokat bujqësore, serat dhe pemët e fermerëve.
Në pak orë, gjithçka u duk sikur u fshi nga një film. Uji la pas dëme të mëdha dhe shkatërroi prodhimet për të cilat banorët kishin punuar gjatë gjithë vitit.
Por sapo uji u tërhoq, vetëm tri ditë më pas, banorët e Murrizit nisën punën nga e para. Me duart e tyre pastruan tokat, rikthyen serat dhe nisën sërish mbjelljet.
Sot, në këtë fshat, gjurmët e përmbytjes janë ende të pranishme, por mbi to qëndron puna e njerëzve.
Rreth 50 familje jetojnë në Murriz dhe për ta bujqësia është puna e përditshme. Në tokat e tyre ata kultivojnë perime, kujdesen për pemët dhe përpiqen të rikthejnë atë që humbën nga përmbytja.
Kamera e TV Apollo ishte në fshatin Murriz gjatë kësaj vere. Shumë prej fermerëve preferuan të mos flisnin para kamerës, por jashtë saj shprehën mirënjohjen për ndërhyrjen e Bashkisë Lushnje dhe institucioneve të tjera pas përmbytjes.
Dëmet janë verifikuar nga institucionet, ndërsa fermerët tashmë presin dëmshpërblimin për humbjet e shkaktuara.
Murrizi sot tregon një tjetër histori. Jo më atë të një fshati të mbuluar nga uji, por historinë e njerëzve që nuk u dorëzuan.
Sepse këtu toka është jetë, ndërsa puna dhe këmbëngulja janë forca që i kanë ngritur sërish në këmbë.