Mokra ka hapur edhe këtë vit dyert për mijëra banorë dhe vizitorë, në edicionin e shtatë të “Mokra N’Fest”, një aktivitet që tashmë është kthyer në një festë të traditës, kulturës dhe identitetit të kësaj treve.
Mokrarët kanë ditur edhe këtë herë të sjellin në vëmendje vlerat e zonës, mikpritjen, bujarinë dhe një trashëgimi që përcillet brez pas brezi.
Nga historia e gurit të Mokrës te peizazhet e mrekullueshme të kësaj treve, festivali ka ofruar një panair të veçantë, ku tradita është ndërthurur me argëtimin.
Në këtë festë nuk ka munguar dollia qindra-vjeçare, gatimet tradicionale të zonës, punimet artizanale, këngët dhe vallet popullore, ndërsa një tjetër element që ka tërhequr vëmendjen kanë qenë edhe sportet ujore.
Mijëra banorë dhe vizitorë të ardhur nga qytete të ndryshme i janë bashkuar festës, ndërsa prania e madhe e të rinjve ka treguar se tradita nuk mbetet vetëm në kujtesën e brezave të vjetër, por po përcillet edhe tek brezi i ri.
Masiviteti i këtij aktiviteti është një tjetër dëshmi se në Mokër ka çfarë të shohësh, çfarë të mësosh dhe mbi të gjitha, çfarë të trashëgosh.
“Mokra N’Fest” është tashmë pjesë e një kapitulli të ri që kjo trevë ka nisur të shkruajë prej disa vitesh, duke e kthyer traditën në një urë drejt së ardhmes.
Një festë ku jetohet Mokra, aty ku folklori, historia, kultura, mikpritja dhe natyra bashkohen në një emër: Mokra N’Fest.