Radhë kilometrike në kryqëzimin e Klubit të Shoferit.

Radhë kilometrike në kryqëzimin e Klubit të Shoferit.

Akset kombëtare vijojnë të përballen me fluks të lartë automjetesh gjatë sezonit veror. Një nga pikat më problematike mbetet kryqëzimi i njohur si “Klubi i Shoferit”, në aksin Lushnjë–Fier, ku çdo ditë krijohen radhë kilometrike, veçanërisht në orët e mëngjesit dhe të pasdites.

Drejtuesit e mjeteve përballen me pritje të gjata dhe trafik të rënduar, ndërsa në shumë raste kërkohet ndërhyrja e Policisë Rrugore për të normalizuar qarkullimin. Ky shqetësim është ngritur vazhdimisht edhe nga TV Apollon, pasi mungesa e një semafori komandues ose e një mbikalimi vazhdon ta rëndojë situatën në këtë kryqëzim.

Ky aks është një nga më të frekuentuarit në vend, duke lidhur Tiranën me jugun e Shqipërisë dhe anasjelltas. Gjatë sezonit turistik, lëvizja e automjeteve rritet ndjeshëm, ndërsa kryqëzimet në segmentin Lushnjë–Fier mbeten problematike edhe për sigurinë rrugore. Sipas specialistëve, numri i aksidenteve në këto kryqëzime mbetet i lartë, duke i renditur ato ndër pikat e zeza të qarkullimit.

Mungesa e semaforëve komandues dhe e një mbikalimi detyron efektivët e Policisë Rrugore të qëndrojnë për orë të tëra në terren, edhe nën temperatura të larta, për të menaxhuar trafikun dhe për të shmangur bllokimet.

Policia Rrugore është në shërbim të qytetarëve, por zgjidhja afatgjatë nuk mund të mbështetet vetëm te prania e efektivëve në terren. Institucionet përgjegjëse duhet të marrin masa konkrete për vendosjen e semaforëve komandues ose ndërtimin e një mbikalimi në kryqëzimin e Klubit të Shoferit.

Këto investime do të lehtësonin ndjeshëm qarkullimin, do të reduktonin radhët kilometrike, do të ulnin numrin e aksidenteve dhe do të garantonin një lëvizje më të sigurt për mijëra drejtues mjetesh që kalojnë çdo ditë në këtë aks kombëtar, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033