Tre turistë gjermanë janë shpëtuar mbrëmjen e së martës nga Policia e Shtetit, pasi mbetën të bllokuar në terrenin e vështirë malor të Malit të Çikës, në Vlorë.
Sipas Policisë, shërbimet e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Fier, ndërhynë menjëherë pas marrjes së njoftimit për ndihmë nga turistët, duke nisur një operacion kërkim-shpëtimi në zonë.
Rreth orës 19:00, efektivët arritën të lokalizonin tre turistët, të gjithë rreth 18 vjeç dhe me shtetësi gjermane. Ata ndodheshin të lodhur fizikisht dhe nuk mund të vijonin rrugën për shkak të terrenit të vështirë.
Duke qenë se ndërhyrja në këmbë paraqiste vështirësi, Policia bashkëpunoi me Qendrën Operacionale Kombëtare të Emergjencave Civile, e cila koordinoi ndërhyrjen nga ajri me helikopter.
Falë operacionit, rreth orës 19:30 u bë i mundur evakuimi i sigurt i tre turistëve nga zona malore, pa pasoja për shëndetin e tyre.
Policia apelon për të gjithë vizitorët që planifikojnë të eksplorojnë zona malore të informohen paraprakisht mbi itinerarin, kushtet e terrenit dhe të marrin masat e nevojshme të sigurisë për të shmangur situata të ngjashme.