Lushnjë – 350 aplikime në Skemën Kombëtare 2026, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për bujqësinë.

Lushnjë – 350 aplikime në Skemën Kombëtare 2026, fermerët kërkojnë më shumë mbështetje për bujqësinë.

Skema Kombëtare 2026 ka zgjuar interes të lartë te fermerët e Lushnjës, duke shënuar një rritje të ndjeshme të aplikimeve krahasuar me një vit më parë.

Në zemër të Myzeqesë, një prej zonave me potencialin më të madh bujqësor në vend, janë regjistruar 350 aplikime për mbështetjen e gjedhëve të matrikulluar, ose 24 për qind më shumë se në vitin 2025.

Kjo tregon interesin e fermerëve për të përfituar nga skemat mbështetëse dhe për të zhvilluar më tej aktivitetin e tyre në bujqësi dhe blegtori.

Megjithatë, përtej aplikimeve, fermerët theksojnë se sektori ka nevojë për politika më të forta dhe mbështetje më të madhe nga shteti. Sipas tyre, subvencionet janë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë për të përballuar vështirësitë me të cilat përballen çdo sezon.

Ata shprehen se shpesh prodhimet bujqësore mbeten në ara ose në sera, pasi çmimet e tregut nuk arrijnë të mbulojnë as kostot e prodhimit.

Rritja e shpenzimeve për farërat, plehrat kimike, karburantin dhe fuqinë punëtore ka rënduar edhe më shumë ekonominë e fermave.

Fermerët kërkojnë që bujqësia të trajtohet si një nga shtyllat kryesore të ekonomisë shqiptare, me politika afatgjata që garantojnë treg për prodhimet vendase, subvencione më të mëdha dhe mbështetje për investimet në fermë.

Sipas tyre, nëse Shqipëria synon integrimin në Bashkimin Evropian, zhvillimi i bujqësisë dhe blegtorisë duhet të jetë një nga prioritetet kryesore të politikave ekonomike.

Mbështetja nuk duhet të kufizohet vetëm në Lushnjë dhe Myzeqe, por të shtrihet në të gjitha zonat bujqësore të vendit, duke u dhënë fermerëve mundësinë të prodhojnë, të konkurrojnë dhe të jetojnë me dinjitet nga puna e tyre.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033