Lushnjë/ Korreshi publikon pamje dhe ngre alarmin: “Ujërat e zeza po përdoren për vaditje”
Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka publikuar një video në rrjetet sociale, ku pretendon se ujërat e zeza të një kanali në lagjen “18 Tetori” në Lushnjë përfundojnë në sistemin e vaditjes së tokave bujqësore.
Në postimin e tij, Korreshi shprehet: “Shikoni se ku derdhen ujërat e zeza të Lushnjës dhe shkojnë për vaditje. Turp.”
Sipas deputetit, situata e denoncuar përbën një shqetësim serioz për shëndetin publik dhe kërkon ndërhyrjen e institucioneve përgjegjëse.
Pas këtij denoncimi lindin një sërë pyetjesh: A janë verifikuar këto pretendime nga Bashkia e Lushnjës, strukturat e shëndetit publik dhe autoritetet mjedisore? A përdoret realisht ky ujë për vaditjen e tokave bujqësore, apo bëhet fjalë për një rast që kërkon sqarim teknik nga institucionet?
Deri në këtë moment, nuk ka një reagim zyrtar nga institucionet përgjegjëse lidhur me pretendimet e ngritura nga deputeti Korreshi.
Qytetarët dhe fermerët presin një verifikim në terren dhe një qëndrim zyrtar për të sqaruar situatën.