Qeveria miraton programin “Pas Shkolle”, trajnuesit do të paguhen 1 mijë lekë për orë.

Qeveria miraton programin “Pas Shkolle”, trajnuesit do të paguhen 1 mijë lekë për orë.

Qeveria ka miratuar programin “Pas Shkolle”, i cili synon të ofrojë aktivitete edukative dhe formuese për nxënësit e shkollave publike jashtë orarit të detyrueshëm mësimor.

Programi do të zbatohet në institucionet publike të arsimit bazë dhe të mesëm të lartë, ku do të përfshihen të gjithë nxënësit e regjistruar. Sipas vendimit, janë përcaktuar kriteret për përzgjedhjen e trajnuesve, mënyra e aplikimit, dokumentacioni i nevojshëm dhe procedurat që do të ndiqen për përfshirjen në këtë program.

Financimi do të mbulohet nga buxheti i shtetit, përmes fondeve që do t’u akordohen zyrave vendore të arsimit parauniversitar. Trajnuesit do të shpërblehen me 1 mijë lekë për çdo orë të zhvilluar jashtë orarit mësimor të detyrueshëm.

Sipas vendimit të qeverisë, kjo pagesë konsiderohet shpërblim për një shërbim të veçantë arsimor dhe nuk do të jetë pjesë e pagës mujore të mësuesit, as nuk do të ndikojë në ngarkesën e tij të detyrueshme mësimore.

Përjashtimisht, për vitin shkollor 2026–2027, aplikimi i mësuesve të klasifikuar në portalin “Mësues për Shqipërinë” do të kryhet në mënyrë elektronike.

Me këtë program, qeveria synon të zgjerojë aktivitetet pas mësimit, të mbështesë zhvillimin e aftësive të nxënësve dhe të krijojë më shumë mundësi angazhimi për mësuesit në sistemin arsimor publik.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033