Eurostat: Shqipëria e dyta në Europë, 53% e familjeve nuk përballojnë pushimet.
Edhe pse Shqipëria ofron bregdet, liqene dhe zona malore për turizëm, për më shumë se gjysmën e familjeve shqiptare pushimet mbeten një luks i papërballueshëm.
Sipas të dhënave të Eurostat, që për vendet e Bashkimit Europian i referohen vitit 2025, ndërsa për Shqipërinë vitit 2023, rreth 53% e familjeve shqiptare nuk kanë mundësi financiare të përballojnë një javë pushime larg banesës së tyre. Me këtë tregues, Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Rumanisë, ku përqindja kalon 60%.
Pas Shqipërisë renditen Turqia me rreth 51%, Maqedonia e Veriut me 48% dhe Greqia me 47%, duke treguar se fenomeni është më i përhapur në vendet e Europës Juglindore.
Krahasuar me rajonin, Shqipëria paraqitet në një pozicion më të pafavorshëm. Në Serbi, rreth 36% e familjeve nuk mund të përballojnë pushimet, ndërsa në Bullgari dhe Hungari kjo shifër arrin në 39%. Në Itali është 36%, ndërsa Portugalia, Kroacia dhe Spanja luhaten në intervalin 32 deri në 33%.
Mesatarja e Bashkimit Europian është 27%, pothuajse gjysma e nivelit të regjistruar në Shqipëri. Në vendet me të ardhura më të larta, si Gjermania dhe Irlanda, vetëm rreth një në pesë familje nuk mund të përballojë pushimet, ndërsa në Holandë dhe Suedi kjo përqindje zbret në 12–13%. Nivelet më të ulëta regjistrohen në Zvicër dhe Norvegji, me më pak se 10%, si dhe në Luksemburg, me rreth 11%.
Sipas Eurostat, ky tregues nuk mat nëse familjet kanë shkuar realisht me pushime, por nëse ato kanë mundësi financiare të përballojnë një javë larg shtëpisë, një nga treguesit kryesorë të standardit të jetesës dhe privimit material.