Fshati Bedat, mes ferrave, mbeturinave dhe mungesës së investimeve.

Vetëm pak kilometra larg vijës ranore të Divjakës ndodhet fshati Bedat, pjesë e Njësisë Administrative Remas. Një fshat me histori të veçantë, por që sot përballet me probleme të shumta infrastrukturore dhe mungesë të mirëmbajtjes.

Pamjet tregojnë një realitet që banorët e jetojnë çdo ditë. Barishtet e egra dhe ferrat kanë pushtuar rrugët dhe hapësirat publike, ndërsa mbeturinat dhe mungesa e pastrimit krijojnë një pamje aspak dinjitoze për një zonë që ndodhet pranë një prej destinacioneve turistike më të njohura të vendit.

Bedati njihet edhe për historinë e tij. Në këtë zonë ndodhen ndërtesa të ngritura gjatë regjimit komunist, ku dikur u internuan e u mbajtën të përndjekur politikë. Megjithatë, më shumë se tre dekada pas ndryshimit të sistemit, banorët thonë se fshati vazhdon të mbetet në harresë.

Mungesa e investimeve në kanalizime, pastrimin e kanaleve, mirëmbajtjen e rrugëve dhe hapësirave publike ka bërë që në shumë raste vetë banorët të pastrojnë hyrjet e shtëpive dhe rrugicat përreth.

Ndërsa institucionet publikojnë projektet dhe aktivitetet e tyre në rrjetet sociale, banorët shprehen jashtë kamre se kërkojnë më shumë vëmendje dhe ndërhyrje konkrete në terren. Ata thonë se nuk kërkojnë privilegje, por shërbimet bazë që çdo komunitet duhet të ketë.

Sot, Bedati mbetet mes ujërave të zeza, kallamave, ferrave dhe mbeturinave, ndërsa banorët presin që premtimet të zëvendësohen me investime reale.

Pyetja që shtrojnë është e thjeshtë: deri kur ky fshat do të mbetet jashtë vëmendjes së institucioneve vendore?

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033