Berat–Këlcyrë, rruga që të dhuron panoramën e natyrës shqiptare
Edhe pse punimet ende nuk kanë përfunduar, aksi rrugor Berat–Këlcyrë, me një gjatësi prej rreth 75 kilometrash, po shndërrohet në një nga itineraret më panoramike të Shqipërisë.
Kamera e TV Apollon përshkon këtë aks, duke sjellë pamje mbresëlënëse të maleve, kodrave, luginave dhe peizazheve që e shoqërojnë udhëtimin nga Berati drejt Këlcyrës. Çdo kthesë e rrugës zbulon një tablo të re natyrore, ku gjelbërimi ndërthuret me relievin karakteristik të jugut të vendit.
Megjithëse segmenti është ende në proces ndërtimi dhe në disa pjesë vijojnë punimet, rruga ofron një udhëtim të veçantë për këdo që e përshkon. Ajo pritet të shkurtojë distancat, të përmirësojë lidhjen mes zonave dhe t’i japë një shtysë zhvillimit të turizmit dhe ekonomisë lokale.
Deri në përfundimin e plotë të investimit, drejtuesit e mjeteve duhet të tregojnë kujdes në segmentet ku punohet. Por përtej sfidave të kantierit, kjo rrugë mbetet një udhëtim mes bukurive të natyrës shqiptare, një itinerar që të fton të ndalosh, të sodisësh dhe të shijosh peizazhin e mrekullueshëm që lidh Beratin me Këlcyrën.