Plazhi i Bedatit, mes bukurisë natyrore, pastërtisë dhe mungesës së sigurisë.

Plazhi i Bedatit, mes bukurisë natyrore, pastërtisë dhe mungesës së sigurisë.

Jemi në mesin e sezonit turistik dhe temperaturat e larta të verës kanë shtuar fluksin e pushuesve drejt bregdetit. Mes shumë destinacioneve që ofron vendi ynë, një prej tyre është edhe Plazhi i Bedatit, i vendosur në Njësinë Administrative Remas, Bashkia Divjakë.

I krijuar dhe i frekuentuar prej më shumë se tre dekadash nga vetë banorët, ky plazh me vijën e tij të gjatë ranore, detin e pastër dhe qetësinë që ofron, është kthyer në një destinacion të preferuar për familjarët, turistët vendas dhe të huajt. Zona mbart edhe një histori të veçantë, pasi pranë saj ndodhen ndërtesa të ndërtuara para viteve ’90, të cilat dikur shërbenin për internimin e të përndjekurve të regjimit komunist.

Sot, në këtë plazh janë ngritur disa struktura shërbimi dhe çadra për pushuesit, ndërsa shumë të tjerë zgjedhin të kalojnë ditën me mjetet dhe pajisjet e tyre. Megjithatë, përtej bukurisë natyrore dhe pastërtisë që e karakterizon, një shqetësim mbetet i pazgjidhur.

Mungesa e rojeve bregdetare dhe e masave të organizuara të sigurisë për pushuesit krijon pasiguri në një zonë që çdo ditë frekuentohet nga qindra vizitorë. Edhe pse Plazhi i Bedatit po fiton gjithnjë e më shumë popullaritet, ai ende nuk gëzon vëmendjen dhe promovimin që meriton nga institucionet përgjegjëse të turizmit.

Bukuria që natyra i ka falur kësaj vije bregdetare është një vlerë e çmuar, por ajo duhet të shoqërohet edhe me investime në siguri, sinjalistikë, shërbime dhe infrastrukturë. Vetëm në këtë mënyrë, Plazhi i Bedatit mund të shndërrohet në një destinacion të konsoliduar turistik, ku pushuesit të gjejnë jo vetëm qetësi dhe pastërti, por edhe sigurinë që kërkon një sezon veror.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033