Bie kultivimi i duhanit në Dumre, fermerët fajësojnë mungesën e ujit dhe braktisjen e bujqësisë.

Zona e Dumresë, në Bashkinë Belsh, e njohur prej dekadash për kultivimin e duhanit, po humbet gradualisht një nga traditat më të rëndësishme bujqësore. Nga viti në vit, sipërfaqet e mbjella me duhan po tkurren, ndërsa gjithnjë e më pak fermerë zgjedhin ta kultivojnë këtë bimë.

Shkaku kryesor, sipas banorëve, është mungesa e ujit për vaditje. Temperaturat e larta të viteve të fundit kërkojnë ujitje të vazhdueshme, ndërsa sistemi i kanaleve dhe pompave mekanike, i ndërtuar para viteve ’90, prej kohësh nuk funksionon më. Si pasojë, shumë toka kanë mbetur djerrë, ndërsa të tjera janë kthyer në vreshta dhe ullishte, kultura që kanë nevojë për më pak ujë.

Në vështirësi kanë ndikuar edhe mungesa e tregut të sigurt dhe problemet me grumbulluesit. Fermerët thonë se në shumë raste janë përballur me vonesa apo vështirësi në pagesa, çka i ka detyruar të reduktojnë mbjelljet ose të heqin dorë plotësisht nga kultivimi i duhanit.

Një tjetër faktor mbetet edhe largimi i të rinjve nga fshati. Me mungesën e krahut të punës, shumë familje kanë braktisur tokat bujqësore, duke lënë pas një kulturë që dikur ishte burimi kryesor i të ardhurave në këtë zonë.

Fermerët kërkojnë që investimet të mos përqendrohen vetëm te infrastruktura urbane, por edhe te bujqësia. Sipas tyre, rikthimi në funksion i sistemit të vaditjes, ndërtimi i pompave mekanike dhe rehabilitimi i kanaleve do t’i jepnin jetë tokave të Dumresë dhe do të krijonin mundësi për rikthimin e kulturave tradicionale, mes tyre edhe duhanit, që dikur mbulonte dhjetëra hektarë në këtë zonë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033