Liqeni i Degës, pasuri natyrore mes bukurisë dhe mungesës së ujitjes për bujqësinë.

Mes kodrave të Dumresë, Liqeni i Degës i cili i përket bashkis Belësh vijon të mbetet një nga pasuritë më të veçanta natyrore të zonës. I vendosur pranë fshatit Fierzë dhe pjesë e kompleksit të mbi 80 liqeneve karstike të Dumresë, ai shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 37.4 hektarësh, ose 0.37 kilometra katrorë, me gjatësi rreth 1.6 kilometra dhe thellësi që arrin deri në 17.9 metra.

I rrethuar nga fshatrat Fierzë, Hardhi e butë, dhe tokat e fshatit Çërragë, liqeni dallohet për biodiversitetin e pasur, shpendët shtegtarë dhe rezervat e peshkut.

Në këtë periudhë të vitit, një pjesë e sipërfaqes së tij mbulohet nga zambakët e ujit, duke krijuar një peizazh të veçantë natyror.

Por përtej bukurisë, Liqeni i Degës mbart edhe një histori të rëndësishme ekonomike. Para viteve ’90, uji i tij shërbente për vaditjen e mijëra hektarëve tokë bujqësore në Dumre, përmes një sistemi pompash mekanike dhe kanalesh ujitëse. Sot, ai sistem është jashtë funksionit dhe i shkatërruar, ndërsa liqeni përdoret kryesisht për peshkim.

Si pasojë e mungesës së infrastrukturës së vaditjes, shumë toka bujqësore kanë mbetur pa ujë. Fermerët thonë se janë detyruar të braktisin një pjesë të sipërfaqeve dikur pjellore ose t’i kthejnë ato në plantacione me ullinj, kultura që kërkon më pak ujë.

Prej vitesh, banorët e zonës kërkojnë rindërtimin e sistemit të ujitjes dhe rikthimin e pompave që do të mundësonin shfrytëzimin e ujit të liqenit për bujqësinë. Sipas tyre, uji nuk mungon, por mungon infrastruktura për ta çuar atë deri te tokat e fermerëve.

Një pasuri natyrore me vlera të rralla ekologjike dhe turistike, Liqeni i Degës mbetet njëkohësisht edhe një burim i pashfrytëzuar për zhvillimin e bujqësisë në zonën e Dumresë.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033