“Po iki se nuk jam sjellë mirë me familjen”. Kjo letër e lënë nga Irakli çinoku 66-vjeç në Korçë u gjet sot nga policia. 66-vjecari dyshohet t’i ketë vënë flakën makinës së tij duke u vetëflijuar brenda saj.
Ngjarja e rëndë ndodhi sot në mëngjes në orën 08:40, në lagjen nr. 10 të qytetit juglindor, ndërsa trupi i 66-vjeçarit u gjet i shkrumbuar në sediljen e parë të pasagjerit, brenda automjetit të tij nga shërbimet e Policisë dhe zjarrfikësit që shkuan menjëherë në vendngjarje
Sipas të dhënave, mësohet se viktima jetonte momentalisht vetëm pasi ka patur probleme në familje me bashkëshorten e tij. Kjo e fundit ka shkuar në Greqi për të jetuar me dy fëmijët që ka çifti. Për fqinjët e tij Irakliu ishte një njeri i rregullt, ndaj nuk mund ta kuptojnë pse arriti deri në vetëflijim siç edhe dyshohet
“Jemi komshinj. Njeri më të rregullt nuk bën nëna. Ndonjë konflikt nuk di të ketë ai. Në shtëpi shumë i rregullt, ja shikoje, me gjithë këtë pasuri. Konflikte s’ka. Jetonte me gruan, me Vjollcën. Në brendësi të familjes nuk jam. Ishte pensionist, kishte dy djem, një në Angli dhe tjetrin doktor në Greqi.”
Jashtë kamerave, një familjar i viktimës shprehet se të vetmin problem që ka patur është fakti që nuk i legalizohej banesa. Megjithatë një grup hetimor nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhet në vendngjarje dhe vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të ngjarjes.