Edhe pse sezoni turistik është në kulmin e tij, situata e sinjalistikës rrugore në aksin që përshkon Parkun Kombëtar Divjakë–Karavasta, në drejtim të plazhit të Divjakës, mbetet shqetësuese. Mungesa e tabelave sinjalizuese për praninë e kafshëve në rrugë vijon të përbëjë rrezik për drejtuesit e mjeteve dhe për vetë faunën e parkut.
Nga njëri krah i rrugës në tjetrin lëvizin vazhdimisht kafshë të egra, ndërsa institucionet përgjegjëse nuk kanë marrë ende masa për vendosjen e sinjalistikës përkatëse. Kjo situatë bëhet edhe më problematike gjatë sezonit veror, kur numri i automjeteve që frekuentojnë plazhin dhe parkun kombëtar rritet ndjeshëm.
Kamera e TV Apollon e ka ngritur këtë shqetësim edhe në raste të mëparshme, por deri më tani nuk është ndërhyrë për përmirësimin e sinjalistikës rrugore. Banorët dhe vizitorët kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme, duke theksuar se mungesa e tabelave paralajmëruese shton rrezikun e aksidenteve.
Sipas tyre, kafshët aksidentohen pothuajse çdo ditë, veçanërisht gjatë orëve të mbrëmjes, kur shikueshmëria është e kufizuar. Vendosja e tabelave paralajmëruese do t’u jepte drejtuesve të mjeteve mundësinë të ulin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes në këtë segment rrugor.
Mbrojtja e jetës së vizitorëve dhe e faunës së Parkut Kombëtar Divjakë–Karavasta kërkon masa konkrete dhe të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, për ta bërë këtë aks rrugor më të sigurt për të gjithë.