Plazhit të Divjakës vijon t’i mungojë siguria në kulmin e sezonit turistik.

Çdo ditë, qindra pushues nga Lushnja, Berati, Kuçova, Elbasani dhe qytete të tjera, si edhe turistë të huaj, zgjedhin vijën ranore të Parkut Kombëtar Divjakë–Karavasta, një nga destinacionet më të frekuentuara të bregdetit shqiptar.

Megjithatë, një nga problemet që përsëritet çdo verë mbetet mungesa e vrojtuesve të plazhit. Në rreth 5 kilometra vijë bregdetare janë ngritur 14 kulla vrojtimi, por shumica e tyre janë bosh, pa vrojtues dhe pa mjetet e nevojshme të shpëtimit në rast emergjence. Në disa raste, kullat nuk plotësojnë as standardet minimale të sigurisë.

Pamjet e siguruara nga TV Apollon tregojnë se vetëm dy kulla ishin në funksion, ku vrojtuesit Franko dhe Miri kryenin detyrën e tyre duke monitoruar pushuesit në det. Pjesa tjetër e bregdetit mbetet pa mbikëqyrje, duke rritur rrezikun për incidente.

Pjesë e masave të sigurisë në këtë fundjavë ishin edhe efektivët e Policisë së Komisariatit të Divjakës, të cilët patrullonin përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat me përqendrim të lartë pushuesish për ruajtjen e rendit dhe parandalimin e incidenteve. Megjithatë, prania e policisë nuk e zëvendëson rolin e vrojtuesve të plazhit, të cilët janë hallka kryesore për ndërhyrjen e menjëhershme në rast rreziku në det.

Ngjarjet tragjike të regjistruara ditët e fundit në plazhe të tjera të vendit kanë rikthyer vëmendjen te zbatimi i ligjit dhe detyrimet që kanë bizneset për garantimin e sigurisë së pushuesve.

Pushuesit kërkojnë ndërhyrje të menjëhershme nga institucionet përgjegjëse, ndërsa sezoni turistik vazhdon. Siguria në plazh nuk duhet të jetë një formalitet, por një detyrim për të mbrojtur jetën e çdo qytetari.

Bizneset që reklamohen në rrjetin e TV Apollon

Bëj edhe ti publicitet në TV Apollon

Tel: +355 69 27 56 610

Tel: +355 69 51 27 033